I konceptuar si një seri aktivitetesh të vazhdueshme përgjatë vitit, festivali ka për qëllim krijimin, përhapjen dhe mbrojtjen e krijimtarisë muzikore vendore. Duke adresuar mungesën e hapësirave dhe mundësive shprehëse për kompozitorët, ky organizim synon të krijojë një ambient frymëzues që inkurajon gjeneratat e reja të artistëve dhe forcon rolin e tyre në jetën kulturore të vendit.
Festivali në çdo edicion do të përfshijë një koncert të posaçëm për të nderuar dhe shfaqur veprat e kompozitorëve kosovarë me karrierë të njohur. Ky koncert do të sjellë në vëmendje kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë e muzikës së vendit. Përmes festivalit veprat e kompozitorëve të karrierës do interpretohen nga orkestra dhe ansamble të ndryshme të zgjedhura nga festivali.
Festivali ka për qëllim angazhimin dhe përfshirjen e kompozitorëve te rinj, duke ofruar platformën për të zhvilluar talentet e tyre. Kjo pjesë synon të krijojë një rrjet të fuqishëm të krijuesve të rinj dhe të inkurajojë krijimin dhe promovimin e veprave të reja muzikore. Interpretimi i veprave të kompozitorëve të rinj do jetë një stimulim tutje për të pasur krijime të reja dhe për të ngritur nivelin profesional e poashtu për t’i shtuar krijime të reja muzikës kosovare.
Koncerti tematik do të jetë një ngjarje mkore e organizuar me qëllim që të përcaktojë dhe të shpërfaqë një temë të qartë dhe të njëjtë për të gjitha veprat që do të performohen në koncert. Organizimi i një koncerti tematik ka potencialin të lidhë audiencën me një temë të rëndësishme dhe të krijojë një eksperiencë të pasur muzikore dhe kulturore.
Veprat e performuara në koncertet e planifikuara do të regjistrohen dhe botohen me qëllim të dokumentimit dhe arkivimit të veprave të kompozitorëve kosovar për të ruajtur dhe përhapur më gjerësisht muzikën dhe trashëgiminë e kompozitorëve të karrierës dhe kompozitorëve të rinj. Kjo është një mundësi e madhe për të krijuar një platformë të qëndrueshme për krijimtarinë muzikore lokale dhe për të nderuar figurat e shquara në historinë e muzikës së Kosovës, duke e bërë këtë trashëgimi më të arritshme për brezat e ardhshëm.
Ersan Januzi, i lindur më 11 Mars 2000 në Mitrovicë, ku edhe kreu shkollën e muzikës ndërsa studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", në drejtimin e kompozimit në klasën e prof. Drinor Zymberi, ndërsa aktualisht ndjek studimet e doktoratës në kompozim në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, nën drejtimin e kompozitores prof. Darija Andovska. Veprat e tij janë interpretuar nga orkestra të ndryshme, kore dhe ansamble kamertale në Kosovë Shqipëri, Maqedoni, Kroaci, SHBA etj. Ai ka fituar çmime në festivale të ndryshme por nga më të lartat janë ato nga institucione të rëndësishme si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Januzi gjithashtu ka pasur pjesëmarrje aktive në masterklasa me kompozitor te njohur po ashtu ka kompozuar muzikë edhe për shfaqje teatrore. Ai shfaq njohuritë e tij jo vetëm në krijimtarinë artistike, por edhe në udhëheqjen e inicativave që promovojnë artin dhe kulturën në Kosovë. Ndërsa, tani ai është i angazhuar si Profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjeron lëndën Analizë të Veprave Muzikore dhe ne Universitetin "Haxhi Zeka" në Pejë në lëndët Bazat e Orkestrimit dhe Aranzhim.
Laura Kajtazi, e lindur në Gjilan aty ku edhe përfundoi shkollën e muzikës në piano ndërsa studimet i mbaroi në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në drejtimin Piano Interpretim. Kajtazi ka qenë pjesëmarrëse në koncerte dhe festivale të rëndësishme në Kosovë, përfshirë MusicaUP, Chopin Piano Fest, Teatrin e Gjilanit, Koncertin e Kompozitorëve të Rinj në Prishtinë etj. Si pianiste dhe korepetitore, ajo ka bashkëpunuar me ansamble dhe kore të ndryshme brenda dhe jasht vendit. Përveç performimit, ajo tregon aftësitë edhe për organizimet kulturore ku aktualisht është Drejtoreshë Artistike e Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë dhe ka rolin e Koordinatores në Festivalin e të rinjëve El Maestro. Me një përvojë pesëvjeçare si mësimdhënëse e pianos, Kajtazi ka kontribuar në zhvillimin artistik të shumë nxënësve. Aktualisht, ajo vepron si Udhëheqëse Akademike e shkollës së artit dhe baletit “Misbah & Friends” në Prishtinë.
"Virtuoso" është një organizatë e dedikuar për avancimin e artit dhe kulturës, duke ndërtuar ura mes trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë bashkëkohore. Me një qasje gjithëpërfshirëse dhe përkushtim të palëkundur ndaj cilësisë, 'Virtuoso' krijon mundësi për një sinergji krijuese mes artistëve dhe komunitetit, duke sjellë përvoja frymëzuese për të gjitha brezat.
Misioni i 'Virtuoso' është të promovojmë artin në formatet e tij më të ndryshme, nga performancat skenike deri te projektet bashkëpunuese, me qëllimin e rritjes së ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së publikut. Kultura dhe arti janë thelbësore për identitetin tonë kolektiv, dhe 'Virtuoso' angazhohet për ta bërë këtë realitet të arritshëm për çdo individ dhe artist.